A review by mrs_schwarz
The Lost Honor of Katharina Blum by Heinrich Böll

5.0

Mund të ishte një roman me të paktën 300 faqe, por është një novelë që nuk i kalon 120 faqe.
Mund të shpjegohej në detaje dhe ngjarja të ishte hijerëndë, por nuk lihet asgjë jashtë dhe çuditërisht rrëfimi të zbavit.
Moralizmat mund ta bënin një vepër si gjithë të tjerat, por ”Nderi i humbur i Katerina Blumit” është një kronikë besnike dhe objektive e historisë së Katerinës dhe të tjerëve.

Historia e një gruaje të ftohtë e cila ecën me llogari dhe një vrasësi e hajduti bankash. Kështu të paktën shkruhet në GAZETË. Me sa kemi vëzhguar, ky kombinim është një magnet për lexuesit e shtypit që kërkojnë përherë skandalin në faqet e tij dhe e përthithin si të vërtetë të pakundërshtueshme atë ç’ka shkruhet. Veçse ngjarja jo vetëm ka më shumë se një pikë shikimi, por fundja, fjalët kanë dobësinë e shtrembërimit. Pikërisht këto brishtësi sjellin keqinformim dhe çmenduri kolektive.

Böll rrëfen me thjeshtësinë më të madhe zhvillimet e thuajse një jave në jetën e Katerina Blumit, sa akti i saj vrasës duket jo veç i natyrshëm, por thuajse i mirëpritur. Çfarë e shtyu Katerinën të vriste dhe ç’rol ka në të vërtetë banditi strumbullar i ngjarjes?

Një novelë shenjuese përmes thurjes së rrëfimit dhe stilit të shkrimit.